Inteligjenca ruse ka përdorur një agjent serb për të depërtuar në institucionet e BE-së dhe për të përhapur propagandën pro Kremlinit rreth pushtimit të Ukrainës. Informacioni sekret vjen nga inteligjenca perëndimore dhe publikohet për herë të parë nga revista prestigjioze POLITICO.
Deri në tetor 2023, shtetasi serb, i quajtur Novica Antiç, agjent aktiv, me vetëdije ka punuar ngushtë me agjencinë ruse të sigurisë. Sipas dokumenteve, Antiç ka zhvilluar takime me zyrtarë evropianë në Bruksel dhe në veçanti me deputetë të Parlamentit Europianë.
Eurodeputetët e futur në "kurth" nga agjenti serb, i cili punonte për llogari të Kremilinit, përfshinin ligjvënësen gjermane të të Gjelbërve, raportuese e Kosovës në Parlamentin Evruopian, Viola von Cramon, ligjvënësen italiane të sociali-demokratëve, Alessandra Moretti dhe Vladimír Bilçík, anëtar sllovak i Grupit konservator të Partisë Popullore Evropiane.
POLITICO nuk ka mundur të verifikojë takimet e tyre me agjentin serb, por informacioni vjen nga inteligjenca perëndimore. Sipas njoftimit të inteligjencës perëndimore të parë nga POLITICO, Antiç është "agjent ndikimi" aktiv për Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë, i njohur si FSB.
Antiç punon ngushtë me një bashkëpunëtor të FSB-së të quajtur Vyacheslav Kalinin, shtetas rus dhe kryeredaktor i Veteran News, një faqe interneti mediatike e specializuar në lajme për veteranët e forcave të armatosura.
Rusia po e përdor Serbinë si një pikënisje për operacionet e ndikimit të dizajnuara për të dobësuar ndjenjat pro-BE dhe pro-NATO brenda vendit, si dhe brenda Bashkimit Evropian, i cili ka qenë një mbështetës i vendosur i Ukrainës që nga pushtimi i plotë i Rusisë dy vjet më parë. (A2 Televizion)