Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 6%
  • Kujdesi familjar 82%
  • Ndikimi i shoqërisë 12%

Stuhi e fortë me borë dhe tornado godet SHBA, tre të vdekur dhe rreth 1 milionë pa energji elektrike

Nga A2 CNN
10 Janar 2024, 10:36 | Bota

Një stuhi e fortë dëbore ka goditur të martën një pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar tornado në jug që i morën jetën tre personave, ndërsa mbi 890.000 familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Karolinën e Veriut, një person u vra në prag të shtëpisë, ndërsa në Georgia një tjetër humbi jetën pasi një pemë ra mbi një automjet, sipas policisë së kontesë Clayton. Sakaq, në Alabama, një grua 80-vjeçare vdiq kur një tornado shkatërroi shtëpinë e saj të lëvizshme.

Gati 1 milion familje mbetën pa energji mbrëmë, kryesisht në SHBA-në lindore. Moti i keq është ndjerë edhe në trafikun ajror, pasi më shumë se 1300 fluturime u anuluan dhe 8600 u vonuan në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Përkeqësimi i kushteve të motit bëri po ashtu që avioni i Forcave Ajrore, të zv.Presidentes Kamala Harris, të devijonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar Dulles në shtetin e Virxhinias, në vend që të ulej në bazën e Forcave Ajrore Andrews në Maryland.

Kjo stuhi dimërore solli edhe reshje të konsiderueshme dëbore në zonat qendrore dhe veriore të vendit, të cilat gradualisht po arrijnë në rajonin e Liqeneve të Mëdha.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, shirat e dendur që shkaktojnë përmbytje, erëra të forta që mund të kalojnë shpejtësinë 80 km/h dhe stuhi po godasin bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Mos e nënvlerësoni”, paralajmëroi guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy në një intervistë për mediat lokale, duke e quajtur këtë stuhi “të pazakontë”.

Ndërkohë, tornadot goditën zonat juglindore, veçanërisht Floridan, ku guvernatori Ron DeSandis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 49 qarqe.

Në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, paralajmërimet për stuhi u lëshuan gjithashtu për herë të parë në një dekadë në vargmalet e Kaskadës dhe Olimpiakut.

Edhe qyteti i Nju-Jorkut po përgatitet për shi të dendur të shoqëruar me erëra të forta nga mbrëmja e së martës, deri në mëngjesin e sotëm.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu