Dy gjeneralët e lartë amerikanë që mbikëqyrën evakuimin e Afganistanit, pasi ra në duart e talebanëve në gusht 2021, fajësuan administratën e Joe Biden për largimin kaotik, duke u thënë ligjvënësve të martën se qeveria amerikane e kishte planifikuar evakuimin në mënyrë joadekuate dhe jo në kohën e duhur.
Dëshmia e rrallë e ish-gjeneralit Mark Milley dhe gjeneralit në pension Frank McKenzie ekspozoi publikisht për herë të parë dallimet që liderët ushtarakë kishin me administratën Biden në ditët e fundit të luftës. Dy nga këto dallime kryesore përfshinin faktin se ushtria kishte këshilluar që SHBA-ja të mbante të paktën 2500 pjesëtarë të shërbimit në Afganistan, për të ruajtur stabilitetin, por edhe shqetësimin se Departamenti i Shtetit nuk po vepronte me shpejtësinë e duhur për fillimin e evakuimit, citon Associated Press.
Dëshmitë bien ndesh me konkluzionin e një raporti të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë lidhur me vendimet e administratës. Raporti i Shtëpisë së Bardhë e fajësonte ushtrinë, duke thënë se komandantët e lartë pohuan se kishin burime të mjaftueshme për evakuimin. Sipas përfundimeve, vendimet e Presidentit Joe Biden ishin “tejet të kufizuara” si rezultat i marrëveshjeve të mëparshme të tërheqjes të negociuara nga ish-Presidenti Donald Trump.
Trembëdhjetë ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të luftës, ndërsa talebanët morën kontrollin e Afganistanit. (A2 Televizion)