Kievit nuk i mungon kurajo, por municionet. Me këtë konstatim e mbështeti sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thirrjen për të ndihmuar urgjentisht Ukrainën me armatime.
Sipas Stoltenberg, anëtarët e NATO-s nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbështetur shtetin në luftë. Në komentet të drejtpërdrejta, si rrallëherë, lidhur me gjendjen e luftës, ai tha se aleatët i kishin kapacitetet për të ofruar më shumë armatime për Ukrainën, por i mungonte vullneti politik për ta bërë diçka të tillë.
“Aleatët e NATO-s nuk po i ofrojnë Ukrainës municione të mjaftueshme dhe kjo ka pasoja në fushëbetejë çdo ditë. Fakti që rusët tejkalojnë në armatime ukrainasit sigurisht që është një sfidë e madhe dhe një prej arsyeve pse rusët kanë shënuar kaq shumë përparim gjatë kohëve të fundit. Prandaj është një nevojë urgjente që aleatët të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i siguruar më shumë municione Ukrainës. Ata i kanë kapacitetet, është thjesht çështje e vullnetit politik”, tha Stoltenberg.
Në fjalën e tij, teksa prezantoi raportin vjetor të aleancës, Stoltenberg theksoi se ky është moment kritik, dhe se do të ishte gabim të lejohej fitorja e Putinit. Mes mungesave të theksuara në municione, Ukraina e ka përqendruar operacionin në sulme me dronë në territorin rus, ku ditët e fundit ka shënjestruar rafineri nafte.
Në shënjestër të bombardimeve të enjten, u vu rajoni rus i Belgorod, ku sipas autoriteteve lokale u vranë të paktën 2 persona dhe u plagosën 6 të tjerë. Guvernatori flet për një pallat të shkatërruar plotësisht, dhe 3 fëmijë të plagosur.
Ministria e Mbrojtjes pohoi se forcat ruse kishin sprapsur një përpjekje të re infiltrimi nga sabotatorë pro Kievit në Belogorod, duke pretenduar se 195 armiq ishin vrarë në operacion. Përleshje mes agjentëve të FSB-së dhe grupeve të armatosura, sipas Moskës, po zhvillohen edhe në rajonin e Kursk. (A2 Televizion)