Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se Rusia mund të pushtojë qytetin strategjik të Avdivka në lindje të vendit, i cili ka përjetuar disa prej luftimeve më të egra të muajve të fundit. Sipas Uashingtonit, Avdivka rrezikon të bjerë shpejt në duar e rusëve, pasi forcave tokësore të Ukrainës në terren po u shterojnë armatimet.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, e vuri theksin tek bllokimi i ndihmave për Ukrainën në Kongres, që ka pamundësuar dërgimin e predhave të artilerisë, kritike për sprapsjen e rusëve.
Paketa 95 miliardë dollarëshe e ndihmave, ku përfshihen 60 miliardë për Ukrainën, mori dritën jeshile në Senat, por përballet me betejë të ashpër në dhomën e përfaqësueseve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg paralajmëroi të enjten, se dështimi i SHBA për të zhbllokuar ndihmat, kishte filluar të ndikonte në fushëbetejë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski është zotuar se do të bëjë gjithçka të mundur për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore. Moska ka përqendruar të gjitha forcat pranë Avdivkës duke siguruar një sërë fitoresh atje.
Burime ushtarake ukrainase, pretendojnë se forcat e Kievit që po mbrojnë qytezën po përballen me ferrin, ndërsa armiqtë po vijnë nga të katra anët. Qyteza e cila, është thuajse e shkatërruar plotësisht, shihet si një portë hyrëse drejt rajonit të afërt të Donjetsk, i aneksuar në mënyrë te paligjshme nga Moska. (A2 Televizion)