Pas gjashtë javësh luftime, jeta për miliona banorë të Gazës ka ndryshuar plotësisht. Një video blogger-e që jeton brenda Gazës, para se të vritej edhe vetë, tregoi përmes celularit si ndryshoi jeta e saj pas bombardimeve të Izraelit.
Jeta para luftës është një kujtim i largët për video blogger-en Ayat Khaddoura. Ditët kur buzëqeshte në video, duke mrekulluar ndjekësit, kanë shkuar tashmë...
Prej disa javësh, postimet e saj ishin rreth jetës në kohë lufte.
Tani zgjohemi në 5 të mëngjesit dhe mbajmë radhën për bukë. Ecim për më shumë se 6 kilometra për të marrë një bidon ujë, të kripur ose të pijshëm. Telefonat i karikojmë në rrugë, duke përdorur panelet diellore që mundemi të gjejmë. Na shkon mendja për ushqimet tona të preferuara, por nuk ka energji, as gaz e as ujë, kështu që duhet të kënaqemi me ushqime të konservuara.
Ayat Khaddoura
Ayat u tregonte njerëzve se si mbijetonin banorët në Gaza. Sesi fqinjët ndajnë atë pak që kanë, për të pjekur bukën në furra balte. Dhe ndonjëherë, edhe se sa afër ishte vdekja, nën bombat që binin mbi Gaza.
Kjo mund të jetë video ime e fundit. Hodhën fletushka duke u kërkuar njerëzve që të evakuonin zonën, shumica ikën. Njerëzit po vraponin nëpër rrugë si të çmendur, duke mos ditur ku të shkojnë. Situata është e tmerrshme. Zot, ki mëshirë për ne!
Ayat Khaddoura
Teksa luftimet intensifikoheshin në veri, Ayat nuk u largua. Jugu i sigurt ishte iluzion, sipas saj askund në Gaza nuk kishte siguri.
Vdekja dhe shkatërrimi shihet kudo në Gaza. Pushtimi nuk ka më mëshirë për askënd. As për pleqtë, as për fëmijët, as për gratë, për askënd. Të gjithë civilët janë nën sulm. Ku janë vendimmarrësit? Ku është bota? Gaza po shfaroset. Po vdesim. Dikush të bëjë diçka. Boll më! Boll!
Ayat Khaddoura
Por thirrjet e dëshpëruara të aq shumë njerëzve, si Ayat... nuk e kanë ndalur këtë makth të pafundmë për popullin e Gazës, ku varrosja e të vrarëve është bërë e përditshme.
Ku çdo çast duket sikur mund të jetë i fundit. Të hënë, ishte çasti i fundit për Ayat. Ajo u vra bashkë me anëtarët e familjes pas një nate bombardimesh intensive në Beit Lahia.
Në videon e saj të fundit dëgjohen fjalët drithëruese të një 27-vjeçareje me një mesazh përfundimtar nga Gaza për botën.
Jemi njerëz, si gjithë të tjerët. Kishim ëndrra të mëdha. Tani ëndrra jonë është që nëse vritemi, të mos na ndahet trupi, që të identifikohemi dhe të varrosemi në varr. Të mos jemi copa trupi nëpër çanta. Kur do të mbarojë kjo luftë? Kush do të mbesë gjallë për t’u treguar njerëzve çfarë na ndodhi? Çfarë përjetuam? Çfarë pamë me sytë tanë?
Ayat Khaddoura (A2 Televizion)