100 prokurorë kujdestarë, Policia e prokuroria e Kosovës plan masash për procesin zgjedhor

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2025, 08:37 | Aktualitet

100 prokurorë kujdestarë, Policia e prokuroria e Kosovës plan

Policia e Kosovës ka marrë masa për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në një klimë të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat plani i masave përfshin sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore, si edhe ndërmarrjen e të gjitha masave proceduriale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, njofton Policia e Kosovës.

Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.  

Ndërkohë në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.

“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve. Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ”, njofton Prokuroria e Kosovës.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos