Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai udhëheq ende nuk di zyrtarisht asgjë pas raportimeve mediatike lidhur me votat me postë të emigrantëve në Kroaci.
Një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se kishte nisur hetimet pas raportimeve se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohej të ishte përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të diasporës, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, shkruan A2 CNN.
KQZ-ja tha se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Deri tani, në disa raste, KQZ-ja ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat.
Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së. Kosova do të organizojë më 8 shkurt edhe votimin fizik në disa përfaqësi diplomatike jashtë vendit. (A2 Televizion)