Anëtarët e rinj të FSK, Osmani: Mbrojeni atdheun njësoj si UÇK. Kurti: Shërbeni si shqiponja!

Nga Xhevahir Qardaku
29 Dhjetor 2023, 15:42 | Aktualitet

325 anëtarë të rinj i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, numri më i lartë ndonjëherë. Të pranishëm në këtë ceremoni të betimit ishin edhe autoritetet më të larta shtetërore, të cilët njëherazi u shprehën krenarë me arritjet e FSK-së.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shprehu vlerësime të larta nga ky sukses i ushtarëve të rinj, për të cilën tha se të njëjtit janë trashëgimtarë të UÇK-së. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se ndihet krenar me arritjet e Ushtrisë së Kosovës. Ai u zotua para ushtarëve që qeveria do ta përkrahë gjithmonë këtë institucion.

“Të dashur ushtar të rinj të kësaj gjenerate, jam krenare që sot ju mbani uniformën e Forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës dhe stërvitjes duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtar e ushtare të FSK-së e duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtje të atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

“Me ju sot po shënojmë pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë, teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarakeve në raport me qeverisjet e kaluara. Ushtria jonë po rritet e do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinjtë e të reja si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e FSK-së”, tha Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos