“Mbyllja e bankave në veri, rrit tensionet”, ndërkombëtaret kundër Kosovës

Nga Xhevahir Qardaku
21 Maj 2024, 20:28 | Aktualitet

Bashkimi Europian kritikon ashpër Kosovën. Brukseli e konsideron operacionin e policisë në veri për mbylljen e 6 filialeve ilegale të Bankës Postare të Kursimeve, si një veprim që shkon kundër frymës së normalizimit dhe që minon pozitën e Prishtinës në dialog. Përmes një deklarate për shtyp nga zëdhënësi Peter Stano, BE-ja thotë se operacioni i forcave të rendit “dëmton negociatat në vazhdim për një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës qendrore të Kosovës për veprimet me para të gatshme.”

“Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetët e përditshme dhe kushtet e jetesës për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera që marrin transferta financiare nga Serbia. Operacioni i së Hënës provon sërish që autoritetet e Kosovës kanë më shumë prioritet veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme se sa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Europian.

Më tej Bashkimi Europian thotë se statusi i të gjitha strukturave serbe dhe shërbimeve duhet të zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga Brukseli, konkretisht me formimin e asociacionit. Deklarata me kritika në drejtim të qeverisë së Kosovës janë lëshuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëvendës ndihmësja e sekretarit të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, konfirmon se u ka shprehur liderëve të Kosovës shqetësimet e SHBA-ve për trajtimin e pakicave.

Gjithashtu i ka kërkuar Kurtit dhe Osmani më shumë koordinim me aleatët dhe që t’i dëgjojnë këshillat e tyre. Edhe Britania e Madhe përmes ambasadës në Prishtinë, shprehu shqetësim për aksionin e policisë në veri, duke paralajmëruar se ky veprim rrezikon që të shtojë edhe më shumë tensionet. Shqetësim për rritje të mundshme të tensioneve në veri të Kosovës pas mbylljes së bankave serbe kanë shprehur dhe UNMIK-u si dhe OSBE.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani