“Një çerek shekulli shtetndërtim”, Kurti: 25 vite më parë u shuan shpresat e Serbisë

Nga Erjon Dervishi
10 Qershor 2024, 16:21 | Aktualitet

Në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë pjesë e Konferencës Shkencore të titulluar “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”.

Në konferencë ishin të pranishëm ish presidentët, Fatmij Sejdiu i Kosovës dhe Alfred Moisiu nga Shqipëria. Si dhe kryetarët e Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë. Albin Kurti, ka thënë se është e nevojshme të ketë botime akademike për të gjithë atë që ka ndodhur në luftën e fundit. Kurti përmendi faktin se mijëra persona u shpërngulën nga Kosova për të kërkuar strehim. 

Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999 NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit I Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHCR-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë 862 mijë e 979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre. Ditët në vijim treguan që në këtë sfidë nuk ishte siç e kishin menduar zyrtarët e UNHCR-së, sepse me 3 gusht kjo organizatë njoftonte që 90 për qind të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë në mënyrë spontane dhe të vetë organizuar, pa çka se ata i gjetën 120 mijë shtëpi të tyre të shkatërruara apo të djegura. Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani I tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, theksoi Kurti.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu theksoi se përvjetorët si ky që shënojmë sot, ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë.

“25 vjet më parë, pikërisht më 12 qershor 1999, Kosova doli nga rrënojat e konfliktit dhe shtypjes, duke hapur një faqe të re, duke dalë në dritën e lirisë dhe të respektit. Ndërsa, jemi bashkë këtu në këtë konferencë kushtuar 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, është thelbësore që të reflektojmë mbi udhëtimin që në solli në këtë moment historik. Përvjetorët si ky që shënojmë sot, na ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë”, theksoi ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu me këtë rast ka uruar që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen.

U bën 25 vjet kur bota përparimtare vendosën t’i japin fund luftës së turpshme dhe i hapi rrugë ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ne shqiptarët I jemi mirënjohës përjetësisht për këtë hap të madh humanitar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, NATO-s dhe vendeve tjera demokratike evropiane. Urojë që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen. Uroj që shqiptarët në Ballkanin perëndimor të kenë një mirëkuptim mes njëri tjetrit dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen duke mos harruar”, theksoi Moisiu.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja tha se askush nuk e konteston se lufta për Kosovën bëri një ndryshim thelbësor në mënyrën e konceptimit të lirisë së popujve, demokracisë dhe vetadministrimit, parime këto që sipas tij, për shumë kohë u shkelen rënd në vendimmarrjet historike, veçmas në konferencat e paqes.

Këtë bindje ma luhat një fakt i çuditshëm, çlirimi i Kosovës ndodhi në ditën e Lidhjes së Prizrenit, thash nuk i besoj koincidencës por i besoj një fakti shumë të ngulitur në vetëdije se dy shekujt e shkuar bënë kombin dhe shtetet tona. Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit“, tha ai.

Akademiku Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, këtë përvjetor e cilësoi një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e shqiptarëve.

Kjo konferencë i kushtohet një prej ngjarjeve më të mëdha dhe më përcaktuese në historinë e shqiptarëve, hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, 25 vjet më parë si forca çlirimtare. Ngjarje e cila çon në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu cilin 100 vjeçar, të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha ai.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani