Në rrethanat aktuale mundësitë për një luftë frontale mes Kosovës dhe Serbisë janë tejet të vogla, por nëse rrethanat ndërkombëtare ndryshojnë ose ka çarje në Perëndim, atëherë ky opsion, veçanërisht ai i luftës hibride nuk është i pamundur.
Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë në Kosovë, teksa paralajmërojnë se lufta hibride gjatë fushatës zgjedhore mund të shtrihet në disa drejtime nga Serbia.
Kolonel Hysen Gecaj përmend si dëshmi rastin e zbulimit të një kamera ilegale në komunën e Leposaviqit në veri të vendit. Sipas Gecaj, pavarësisht aksioneve të ndërmarra në veri bandat e strukturat kriminale të mbështetura nga Serbia vijojnë të jenë prezente aty.
Eksperti komenton gjithashtu gjuhën e vrazhdë me elemente urrejtjeje të përdorur gjatë fazës së parë të procesit zgjedhor nga drejtuesit politik e që sipas tij e rrezikon sigurinë e procesit në tërësi.
Megjithatë sipas tij, teksa perëndimi duket i konsoliduar në qasjen ndaj Rusisë dhe ndikimit të saj, mundësitë e cenimit të procesit në aspektin demokratik, nuk duken të mëdha. (A2 Televizion)