Policia kosovare ka vënë në pranga një tjetër të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit në fshatin Sinidoll të Prishtinës mbrëmjen e së mërkurës.
Arrestimi i tretë vjen vetëm pak orë pasi Prokuroria Themelore njoftoi se është ndaluar autori Granit Plava dhe bashkëshorti i 33-vjeçares së ndjerë, Naim Murseli, i cili ka porositur vrasjen dhe inskenimin e ngjarjes si grabitje.
Mediat në Kosovë raportojnë se i ndaluari i radhës është identifikuar si shtetasi me inicialet K.K., një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu pas bastisjes në dy lokacione në Gjakovë, ku u arrestuan të dyshuarit, është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për vrasjen e Liridona Murselit.
Sakaq, autori i vrasjes ka rrëfyer para hetuesve se është paguar nga bashkëfshatari i tij Naim Murseli për të kryer krimin dhe për të do të paguhej 30 mijë euro.
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, njofton organi i akuzës. (A2 Televizion)