Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën qëndroi për pak orë në Prishtinë për t’u takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bilsimi.
Me të tha se diskutoi për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit dhe për vendimin e BQK-së për dinarin.
Megjithëse Bislimi nuk pranoi javës së kaluar të shkonte në Bruksel për dinarin, Lajçak paralajmëroi një takim mes kryenegociatorëve ku pritet të diskutohet edhe për rregulloren e re të BQK-së.
“Dëgjova përgjigjet e shumë pyetjeve që bëra. Më duhet vërtet ta analizoj për të parë nëse i kemi të gjitha përgjigjet apo ka ende pyetje që kërkojnë përgjigje. Ky është procesi, natyrisht, duhet të sigurohemi që në fund të mos ketë njerëz, qytetarë, individë që do të ndikohen negativisht. Ky është sigurisht shqetësimi ynë.”
Bislimi, përmes një komunikate për media, tha se për dinarin vetëm e kishte sqaruar emisarin e BE-së që nuk është temë për dialog.
“Mbi rregulloren e BQK-së, sqarova se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut,dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Po ashtu, e sigurova Lajçak qё qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale,” deklaroi Bislimi.
Lajçak gjithashtu vuri theksin tek zbatimi i marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje është e mirë, ndaj duhet të fillojmë zbatimin. Ne kemi shpenzuar shumë kohë duke diskutuar renditjen e hapave, kështu që nga të dyja palët ekziston frika se nëse bëj atë që më kërkoni, a do të marr atë që më premtoni dhe kjo është ajo që po diskutojmë."
Megjithatë pala kosovare kërkoi sërish firmën e presidentit serb Vuçiç për marrëveshjet e arritura.
“Ritheksovase marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiç dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht nëfrymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes”.
Po ashtu, Bislimi tha se i kërkoi Lajçakut largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Ndërsa Lajçak përmendi draft-statutin e Asociacionit si një tjetër temë e rëndësishme që ishte diskutuar në takim.
(A2 Televizion)