Kosova është e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Deklarata vjen nga kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë eventit për Agjendën Transformuese të Kosovës. Kryeparlamentari nënvizoi nevojën për bashkëpunim nga të gjitha shtetet për të arritur barazi dhe mirëqenie, teksa foli për Agjendën 2030.
“Kosova edhe pa qenë anëtare e Kombeve e Bashkuara është nënshkrues e Agjendës 2030, ka dhënë zotimin për të kontribuar në përpjekje të përbashkëta globale, për zhvillimi të qëndrueshëm. Duke qenë se kjo Agjendë është komplementare në atë agjendën evropiane, zbatimi i suksesshëm i saj jam i bindur që na ofron në dy mekanizmat të rëndësishme, ku një ditë edhe ne synojmë të jemi pjesë e tyre, edhe e Kombeve të Bashkuara edhe e Bashkimit Evropian”, tha Konjufca.
Konjufca shtoi se Agjenda 2030 është ndërtuar në formën e një plani zhvillimor.
“Institucionet tona janë përgjigjur ftesës së Kombeve të Bashkuara për të hartuar një Agjendë transformuese dhe të matshme, e cila ndihmon zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm me hapa të përshpejtuar. Për Kosovën kjo Agjendë duhet të shihet si një mundësi për të dëshmuar aftësitë që i ka Kosova për tu bërë pjesë e iniciativave globale”, shtoi ai.
Ndërkohë, për anëtarësimin e Kosovës në OKB ka pengesa të mëdha që burojnë nga lobimi i Serbisë me ndihmën e Rusisë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, Beogradi duhet ta braktisë politikën e saj bllokuese, sipas marrëveshjes për normalizim të raporteve dhe të aneksit zbatues. (A2 Televizion)