Ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se qeveria e Kosovës nuk do të zbatojë variantin e propozuar nga Bashkimi Europian për themelimin e Asociacionit, nëse Serbia nuk zbaton detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.
Gërvalla deklaroi se vjeshtën e kaluar, qeveria e Kosovës dërgoi komentet e saj mbi këtë variant të BE-së, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. Komentet e saj, Gëravlla i bëri për Zërin e Amerikës.
“Ne nuk e zbatojmë atë draft, që është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë. Por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë. Ai dokument në formën që është dhe në suazat që është dorëzuar nuk është në gjendje të dorëzohet nga ana jonë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Gërvalla.
Mos-marrja e masave konkrete drejt krijimit të Asociacionit pamundësoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Gërvalla i cilësoi si “politike, të padrejta dhe të paarsyeshme kërkesat e disa vendeve të Bashkimit Europian, që Prishtina të hedhë hapa konkrete drejt krijimit të Asociacionit me qëllim anëtarësim në Këshill”.
Në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit, Gërvalla tha se Kosova do t’i qëndrojë strikt vendimit të institucionit më të lart financiar në Prishtinë. (A2 Televizion)