Arsenal armësh në Veri, Sveçla: Këto janë planet ogurzeza të Serbisë

Nga A2 CNN
14 Maj 2024, 22:51 | Kronikë

Një sasi e konsiderueshme armësh është konfiskuar nga Policia e Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës. Zyrtarët e lartë policorë mendojnë se arsenali i armatimeve ka ngelur pas sulmit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i pranishëm në konferencë është zotuar për të luftuar atë që e ka konsideruar grup kriminal të instruktuar nga shteti serb: “Këto janë planet ogurzeza të Serbisë. Ne nuk do të ndalemi për të ofruar siguri, qetësi dhe stabilitet për qytetarët tanë dhe sovranitet e integritet territorial për Kosovën. Të gjithë ata që janë përfshirë në akte dhune apo akte terorrizmi, ata të cilët cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial shkelin ligjin të gjithë do të vihen para drejtësisë dhe do të dënohen bazuar në veprat që i kanë shkaktuar sigurisë së Kosovës. Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit që kryen sulmin e Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia e ka siguruar informacionin nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Hoxha tha se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.

Më tej, Hoxha shtoi se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat dhe përgjegjësitë individuale në lidhje me këtë rast.

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore. Kosova e konsideron shtetin e Serbisë përgjegjës për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi mohon diçka të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos