"Ka vrarë shqiptarë", Prokuroria Speciale në Kosovë ngre akuza kundër një të dyshuari

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2024, 20:47 | Kronikë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998-1999.

I dyshuari, i cili ndodhet në arrati, akuzohet për veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile, tha Prokuroria.

“Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri Z.P, i armatosur, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, dëbimin masiv dhe plaçkitjen e qytetarëve civil të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

Prokurori ka kërkuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë, duke qenë së i pandehuri është në arrati. Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos