31 milionë euro avanc, LDK: Armatime kemi blerë edhe në të kaluarën, por s’kemi abuzuar

Nga Ideal Gola
20 Maj 2024, 20:04 | Politikë

Kosova ka paguar 31 milionë euro parapagim për siguri por pa u specifikuar se për çfarë do të shpenzohen të gjitha këto mjete. Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një tryezë, drejtoi akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës për abuzim me paranë publike.

Po ashtu, deputetët e LDK-së thanë se nuk kanë informata as për mjetet që janë grumbulluar në Fondin për Siguri që ishte hapur vite më parë dhe nëse ato mjete po shpenzohen.

“Ka pas praktika në të kaluarën, sigurisht Kosova nuk ka nis sot të blejë pajisje për siguri, qofshin mallra ose pajisje kapitale, ka filluar në vitin 2008, gjithmonë kemi blerë pajisja të tilla por nuk kemi abuzuar asnjëherë kështu me buxhetin e shtetit. Është mungesë totale e transparencës. Unë si anëtar i Komisionit për Buxhet nuk i kam këto informata, me dijeninë time as anëtarët e Komisionit parlamentar për Siguri nuk dinë sa mjete janë mbledhur në atë Fond për Siguri dhe ku kanë shkuar këto avanc për siguri”, tha Avdullah Hoti, deputet i LDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi Qeverinë se nga buxheti i shtetit ka shpërndarë subvencione në vlerë mbi 881 milionë euro si dhe ka dështuar me shpenzimet kapitale.

“Marrë në tërësi gjatë mandatit 2021-24, kjo Qeveri ka menaxhuar 11 miliardë euro. Shenjë nuk shihet as tek investimet kapitale, as tek arsimi, as tek shëndetësia, as tek siguria, në asnjë sektorë se ku kanë shkuar të gjithë këto mjete”, shtoi Hoti.

Akuza ka pasur edhe për tenderët njëburimorë që sipas LDK-së, kanë vijuar edhe këtë vit.

“Shuma e tenderëve të negociuar në katër sy të kësaj qeverie është rreth 240 milionë euro dhe kjo është korrupsion, është keqpërdorim i detyrës zyrtare sepse ftohen kompanitë të cilat njihen dhe gjithashtu është dëmtim i buxhetit të Kosovës për shkak se nuk ka konkurrencë”, deklaroi Hykmete Bajrami, deputete e LDK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos