Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është vlerësuar nga opozita dhe analistët politikë në Kosovë si një mundësi e humbur. Partia Demokratike e Kosovës, duke fajësuar Qeverinë, thotë se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë, por ajo çfarë doli në pah ishte humbja e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK, u shpreh: “Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”.
Për analistët politikë, propozimi që Kosova të bëjë vetë draft-statutin ishte më shumë lëvizje politike për konsum të brendshëm sesa zgjidhje. Sipas tyre, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga propozimi i tij për statut të Asociacionit, ndërsa ka frikë se Kosova humbi mundësinë më të mirë për shkak të pezullimit të Rusisë nga ky institucion.
Analisti Arton Demhasaj thekson: “Situata gjeopolitike mund të ndryshojë pas kësaj mundësie dhe pastaj ne edhe mund ta bëjmë Asociacionin, por të mos kemi shansin të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës, pra gjithçka mund të vështirësohet shumë më shumë sesa që ishte tash”.
Edhe deklarimi i Presidentes Vjosa Osmani se nuk kishte dijeni për letrën shihet më shumë si lëvizje politike: “Thjesht është edhe ajo një lloj manovre politike që të shfajësohet që unë s'kam pjesë, s'kam faj në këtë çka ka ndodh dje sepse përndryshe nuk besoj që nuk ka qenë e informuar për përmbajtjen dhe për letrën që po i dërgohet Këshillit të Evropës”.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk mund të ndalet edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit serb. (A2 Televizion)