Takimi në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë do të ndodhë më 27 shkurt me pjesëmarrje nga përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit.
Pas refuzimeve të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, burime nga Banka Qendrore e Kosovës, konfirmojnë për A2CNN, se Guvernatori Ahmet Ismaili, ka udhëtuar për në Bruksel.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë, për të lehtësuar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”.
Takimet e niveleve të larta me ndërmjetësim të Brukselit zakonisht nuk kanë prodhuar rezultate. Kryetari i Dhomës së Ekonomisë të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në këtë rast.
Rafuna thekson se ajo çfarë duhet të bëjnë institucionet tona është që mos të lejojnë vendim të njëanshëm.
Kurse analisti Zekri Shabani thotë për A2CNN, se kjo si çështje e brendshme nuk duhet të lejohet të bëhet pjesë e dialogut.
Rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme nuk është pjesë e procesit të dialogut. Në këtë takim të thirrur, kryenegociatori apo dikush nga ekipi negociues nuk do të shkojë, meqë siç thënë, kjo nuk bën pjesë në procesin e dialogut, është konfirmuar nga zyra zëvendëskryeminstrit Bislimi. (A2 Televizion)