Kosova ka zhvilluar konsultime me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes lidhur me përforcimin e kapaciteteve të ushtrisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur një delegacion të Shteteve të Bashkuara, që kryesohej nga Alton Buland, Drejtor kryesor për Politikat Europiane të NATO-së në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.
“Palët u takuan për të avancuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale multi-etnike, e cila ndërvepron me NATO-n”, shkruhet në një njoftim të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Të njëjtën deklaratë e konfirmon edhe vetë ministria e mbrojtjes e Kosovës. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerali Bashkim Jashari, raportoi në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, vlerësoi pozitivisht punën e tij. (A2 Televizion)