BE harron shkeljet e Serbisë, Varhelyi kritikon vetëm Kosovën: Kurti të bindet që të hiqen masat

Nga Xhevahir Qardaku
8 Prill 2024, 20:20 | Politikë

Në forumin “Bashkimi Europian takon Ballkanin Perëndimor” në Sofje të Bullgarisë u prezantua qartazi se si e sheh Brukseli rajonin tonë. Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, pati kritika në drejtim të Kosovës, duke thënë se ka qenë vazhdimisht në kriza vitin e kaluar, pa përmendur se disa prej tyre janë nxitur nga Serbia. Gjithashtu e konsideroi ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak, një koleg të dalluar.

“Tani kemi nevojë që qeveria e Kosovës të këtë një qasje më konstruktive në adresimin e të gjitha kërkesave tona për ulje të tensioneve. Hapi i parë duhet të jetë, të zbatojë të gjitha kërkesat tona, në mënyrë që masat të hiqen dhe që mbështetja jonë politike dhe ekonomike për rrugën e Kosovës drejt BE-së të lëvizë me shpejtësi të plotë. Zoti Lajçak do të ju tregojë ju se kemi një element të ri në këtë, duke shpresuar se do të promovojë një dialog të suksesshëm dhe që është Plani i Rritjes. Përmes tij, ne dëshirojmë që të promovojmë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe pakteve të arritura në kuadër të dialogut”, tha Oliver Varhelyi, komisioner i BE për zgjerimin.

Por Varhelyi nuk kishte një qasje kritike ndaj Serbisë, duke harruar të gjitha shkeljet ndaj marrëveshjes së normalizimit me Kosovën, kritikat për procesin zgjedhor të fundit, problemet në gjyqësor dhe presionet ndaj mediave në Beograd.

“Sa i përket Serbisë, mendoj se duhet të vazhdojnë negociatat e anëtarësimit. Ne kemi një kapitull gati për ta hapur që prej 2 vitesh tani. Serbia ka bërë progres thelbësor, veçanërisht në reformën e gjyqësorit dhe legjislacionin e mediave. Teksa reformat duhet të vazhdojnë, ky kapitull për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse duhet të hapet.”

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk pati ndonjë fjalë të re, ndërsa për Malin e Zi shpreson që në qershor të nisë faza e fundit e anëtarësimit. Varhelyi nënvizoi mes tjerash se Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh do ta bëjë gati të gjithë Ballkanin Perëndimor për pranim në BE deri në vitin 2027.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024