Bashkimi Europian duhet të ndryshojë qasje në marrëdhëniet me armiqtë e demokracisë, paqes dhe stabilitetit në rajon. Ishte kjo kërkesa që bëri ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla gjatë takimit ministror, Miqtë e Ballkanit Perëndimor ku u diskutua rreth integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Para homologëve të saj nga vendet e rajonit dhe ato të BE, Gërvalla e vuri theksin theksin tek nevoja e ndëshkimit të serbisë, si mënyrë për të shmangur përsëritjen e Banjskës.
“Ne duhet të sigurohemi që ngjarjet e tmerrshme të 24 shtatorit të vitit 2023, kur Kosova u përballë me aktin e agresionit serb, të mos përsëriten. Për të parandaluar këtë, duhet të vendosim përgjegjësi shtetërore dhe masa ndëshkuese ndaj akteve të agresionit që provokojnë dhe nxisin konflikte”, u shpreh Gërvalla.
Thirrja e Gërvallës vjen pasi zv.kryeministri, Bisnik Bislimi i dërgoi një letër të dërguarit të posaçëm të BE për dialogun Miroslav Lajçak, të cilit i kërkon të marrë vendimin për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën. Ai rendit përpjekjet që Kosova ka bërë ndaj kërkesave për heqjen e masave.
“Largimi i menjëhershëm i masave do të ndihmonte institucionet e Kosovës të mobilizonin përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave, krijimin e mjedisit për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë”, tha Bislimi.
Ndërsa vetë Lajçak ka bërë një përmbledhje të vizitave të fundit në Prishtinë dhe Beograd, duke vënë theksin tek çështja e dinarit.
“Po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me Rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paranë dorë, veçanërisht me ndikim në komunitetet serbe që jetojnë në Kosovë”, njofton ndërmjetësuesi europian. (A2 Televizion)