Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mirëpriti në Prishtinë Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e vendit.
Kurti gjithashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç'rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.
Ai theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.
Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.
Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
(A2 Televizion)