
Në veri, 33 shkolla kanë refuzuar mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve më 21 prill, ka konfirmuar Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se është detyrim i institucioneve të Kosovës që t’i hapin shkollat për votime: “Ato janë objekte publike të Republikës së Kosovës, prandaj unë kërkoj që të gjitha institucionet kompetente këtu të urdhërojnë hapjen e atyre shkollave. Në bashkëpunim me KQZ, por edhe me Policinë e Kosovës, të hapen atë ditë”.
Anëtari i VV-së në KQZ, Krasniqi, iu ka përgjigjur direkt “Listës Serbe”: “Këto janë direktiva të qarta për të penguar një proces që na kanë shurdhuar prej disa kohësh. Ne e kemi bërë maksimumin që të organizojmë këtë proces në kohë rekord dhe tani është një subjekt politik, një parti politike, e cila hapur po i sfidon institucionet e Kosovës dhe po ndërmerr veprime hapur për të penguar këtë proces. Ky lloj veprimi i “Listës Serbe” të vihet në fokus të organeve të drejtësisë. Ky subjekt, që ka të bëjë edhe me terrorizmin, po tenton ta pengojë këtë proces”.
Sekretari i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të afatit shumë të shkurtër deri në ditën e votimit, është duke punuar intensivisht për gjetjen e lokacioneve alternative të cilat do të shërbejnë si qendra votimi më 21 prill: “Në Komunën e Leposaviqit janë 18 qendra votimi, ku 15 drejtorë shkollash kanë refuzuar t’i japin në përdorim për procesin e votimit. Në komunën e Zubin Potokut janë 12 qendra të votimit, ku 10 drejtorë shkollash kanë refuzuar t’i japin në përdorim për procesin e votimit”.
KQZ-ja ka vendosur që të zgjatet afati i aplikimit të vëzhguese në veri deri në ora 20:00 të së mërkurës. (A2 Televizion)