Mbyllja e degëve të postës serbe në Kosovës, reagon BE: Kundër veprimeve të pakoordinuara

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 16:29 | Politikë

Mbyllja e degëve të postës serbe në Kosovës, reagon BE:

Bashkimi Europian i është bashkuar shqetësimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me operacionin e fundit të policisë së Kosovës, gjatë së cilit u mbyllën 6 degë të postës serbe në veri të vendit.

Përmes një reagimi zyrtar BE deklaron se ky veprim i autoriteteve të Kosovës vjen pa u konsultuar me partnerët dhe disa ditë pas raundit të fundit të dialogut në Bruksel ku u bisedua dhe për çështjen e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare.

Sipas BE, aksione të tilla bien ndesh me frymën dialogut për  normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.

“Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”, shkruhet në reagim.

BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga i dërguari i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos