SHBA-ja kritikon Kosovën për aksionin në Veri: Nuk u koordinuat me partnerët

Nga Rosalba Bejdo
21 Maj 2024, 10:10 | Politikë

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu zhgënjim dhe kritikoi autoritetet në Kosovë, për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit. Një zëdhënës tha për Zërin e Amerikës se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se ai përshkallëzon tensionet.

“Ai minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë, përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Zëdhënësi vë në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar koordinim mes qeverive të të dyja vendeve në mënyrë që ta mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj”.

Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë thanë se banka ishte ilegale dhe se me operacionin për mbylljen e njësive të saj synonin të “vendosnin rendin dhe ligjshmërinë”. Siç bëhet e ditur në operacion janë konfiskuar “1 600 000 euro, 74 700 000 dinarë, 19 500 franga, 13 800 dollarë amerikanë, 40 dollarë australianë, si dhe dokumente dhe prova tjera”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi i tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos