Një vit nga marrëveshja bazike! Kritikohet BE, kërkohet të vihen afate për implementim

Nga Ideal Gola
27 Shkurt 2024, 20:56 | Politikë

Më 27 shkurt 2023 Kosova dhe Serbia u dakorduan për atë që njihet si Marrëveshja Bazike në Bruksel. Një vit më pas, palët kanë dështuar të përmbushin obligimet e tyre, me Prishtinën që akuzon Beogradin se ka shkelur ujdinë.

“Vetëm neni 1 është zbatuar pjesërisht, pra njohja e vulave doganore, njohja e targave me RKS dhe me Serbia, pra një lëvizje, një hap i breshkës sepse është një hap shumë i vogël për zbatimin e një marrëveshjeje kaq të madhe”, tha Dritëro Arifi, Profesor.

Kosova aktualisht kërkon që Serbia të firmosë marrëveshjet në mënyrë që të ketë garanci për zbatim të tyre.

“Nëse mbesim kështu, në vullnetin e palëve për t'i zbatuar marrëveshjet që arrihen në Bruksel mund të flasim për një pafundësi në kohë kur asnjëra palë nuk ka për t’i kryer obligimet e saj sepse secilat i kanë arsyet e tyre”, u shpreh Arton Demhasaj, analist.

Sipas njohësve të çështjeve politike, Bashkimi Evropian duhej t’i premtonte Kosovës disa benefite në rast se ajo vendos njëanshëm të zbatojë marrëveshjen.

“Mendoj që ata e kanë ditur që në fillim që pala serbe do të jetë destruktive por është dashur të ketë një marrëveshje ndoshta paraprake me Kosovën që nëse ju e zbatoni këtë marrëveshje këto benefite do t’i keni si shtet, pra pranimi nga 5 vendet e Bashkimit Evropian, avancim në NATO, e të tjera”, tha Arifi.

Megjithatë, për të parë rezultate konkrete në zbatim të marrëveshjes, Bashkimit Evropian i kërkohet që të caktojë afate.

“Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkaura, kur e dakordojnë një marrëveshje duhet të kenë edhe autoritetin të caktojnë afate kohore për secilën palë, secilën pikë të marrëveshjes kur duhet të realizohet, ose të implementohet, e në rast se nuk e implementon ose e realizon duhet të ketë masa ndëshkuse ndaj palëve”, bëri me dije Demhasaj.

Pas Marrëveshjes Bazike në Bruksel, palët u dakorduan edhe për Aneksin e zbatimit të saj në Ohër më 18 mars të vitit 2023.

A2 CNN Livestream

Dita jonë