Personat e zhdukur, Lajçak: Këtë javë do të mbahet në Bruksel takimi i parë i Komisionit të Përbashkët

Nga Tomorr Avdia
13 Janar 2025, 10:13 | Politikë

Personat e zhdukur, Lajçak: Këtë javë do të mbahet

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se këtë javë do të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në Bruksel. Ai ka thënë se është takuar me Jim O’Brien dhe Sasha Kasanof me të cilët ka diskutuar për dialogun.

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, ka shkruar ai.

Lajçak gjithashtu ka njoftuar se e ka takuar edhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.

Ai ka theksuar se me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, kanë folur për rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Udhëtimet e mia më çuan më pas në Nju Jork, ku pata diskutime thelbësore me lidershipin në SHBA.  Një shkëmbim i detajuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres na lejoi të shkëmbejmë mbi dinamikat rajonale, ndërsa takimi im me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo përforcoi nevojën për përpjekje shumëpalëshe të koordinuara mirë për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt integrimit evropian”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos