Albin Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale dhe nuk ka asnjë prapavijë tjetër. Kështu e shikon politologia Makbule Shkodra, ftesën për paraqitjen në Prokurorinë Speciale në Prishtinë më 16 dhjetor të kryeministrit Kurti. Në një lidhje me Ditarin e Kosovës në A2 CNN, ajo tha se ai është thirrur si dëshmitar për një rast korrupsioni.
“Vepra në të cilën është thirrur Kurti ndërlidhet me një lëndë të korrupsionit. E ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Janë disa raste korrupsioni që janë duke u hetuar kishim një bastisje në Ministrinë e Mjedisit, ka qenë një skandal me rezervat shtetërore dhe një skandal tjetër në lidhje me një pronë në Liqenin e Badocit. Janë disa raste që janë duke u hetuar nga prokuroria”.
Sipas saj qeveria dhe zëdhënësi duhet të kishin dhënë vetëm njoftimin dhe të mos bënin asnjë deklaratë tjetër, sikurse u përmend ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025-ës. Shkodra thekson se qeveria Kurti ka bërë vërejtje në drejtim të Prokurorisë e Gjykatës, por sot nuk duhet të komentonte.
“Për mua është e habitshme. Unë nuk besoj në gjëra të tilla. Institucionet kryejnë detyrën e vet. Drejtësia është shtyllë e pavarur. Por qeveria Kurti ka bërë vërejtje në drejtim të prokurorisë e gjykatës. Edhe sot ata nuk do të duhet të komentonin asgjë. Ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit pse ky reagim i panevojshëm. Zëdhënësi të njoftonte që është ftuar vetëm për këtë dhe asgjë tjetër”.
Shkodra thekson se opozita do ta përdorë për zgjedhje këtë situatë, sepse thotë ajo, “qëllimi saj është të fitojë vota dhe besim te qytetarët, por besoj që nuk kë mënyrë për ta penguar në zgjedhje. Rasti i rezervave shtetërore është i hershëm”. (A2 Televizion)