Zgjedhjet e shkurtit, shtyhet afati për aplikim për certifikim subjekteve politike

Nga Ideal Gola
11 Dhjetor 2024, 19:48 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhje vendosi të shtyjë afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet e shkurtit 2025 deri në mesnatë.

Afati i mëhershëm ishte deri në ora 16:00 të së mërkurës por vështirësitë me aplikim online detyruan KQZ që të sjellë një vendim të ri.

“Në bazë të njoftimeve që kemi pranuar ka pasur vështirësi në kuptimin e ngarkimit të dokumenteve, të paktën kështu kemi disa njoftime. Afati sa i përket datave mbetet i njëjti, ka filluar më 1 shtator dhe përfundon me datën 11 dhjetor vetëm se janë dhënë disa orë më shumë”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e subjekteve që kanë aplikuar të marrin pjesë në zgjedhje është edhe Lista Serbe, subjekti më i madh serb në Kosovë i mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar por që është akuzuar se qëndron mbrapa trazirave në veri.

Ata rikthehen të marrin pjesë në garë zgjedhore pasi kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri dhe më pas edhe referendumin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë.

Në mesin e subjekteve politike serbe që kanë dorëzuar listat janë edhe pesë të tjera si Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

Të gjithë kandidatët e të gjithë subjekteve politike që pritet të garojnë do t’i nënshtrohen certifikimit pasi KQZ të sigurohet se edhe e kaluara e tyre është në pajtim me ligjin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas përgjegjësive ligjore do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme të cilat kanë në përgjegjësinë e tyre për të bërë verifikimin e kandidatëve, pra Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme, konkretisht neni 30 parasheh raste se kur një person nuk mund të jetë kandidat”, deklaroi Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë kohë të certifikoje subjektet dhe kandidatët deri më 25 dhjetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos