Emisari amerikan për misione speciale, Richard Grenell, vijon përplasjen në distancë me kryeministrin e Kosovës. “Është jashtë realitetit”, shkruan zyrtari i administratës së Presidentit Donald Trump, duke iu përgjigjur deklaratës së Albin Kurtit në fushatë se “raportet mes SHBA-ve dhe Kosovës janë më të forta se kurrë më parë.
“Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada Amerikane, Anthony Blinken etj.”, shprehet Grenell, shkruan A2.
Deklarata e zyrtarit amerikan vjen vetëm dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Por, kjo nuk është hera e parë që ai shprehet lidhur me raportet Uashington-Prishtinë. Përmes një statusi në rrjete sociale, Grenell shkruajti se Administrata Trump do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan, por i nevojiten partnerë të besueshëm, ndërsa përcaktoi se qeveria Kurti nuk është një prej tyre.
“Republikanët dhe Demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Kritika ka pasur edhe nga Bashkimi Europian dhe NATO”, theksonte Grenell gjatë të hënës.
Zyrtari pretendoi se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit dhe e akuzoi atë se ka qenë kundër çdo propozimi amerikan të bërë nga Presidentët Klinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
“Retorika e përdorur nga Kurti tani, me pretendimin se ai është i afërt me SHBA-të dhe dhe se ka raporte më të mira se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht false”, shkruan Grenell.
Reagimi i kryeministrit ishte ky: “Kurrë ma mirë nuk i kemi pasur punët, po blejmë edhe helikopterë ‘Black Hawk’, pas sistemit anti-tank Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marr në mandatin tonë kjo e korporatës së sfidave të mijëvjeçarit për bateritë. Kemi bashkëpunim jo vetëm politik, por edhe në mbrojtje e zhvillim. A ka ndonjëherë kritika e vërejtje, por ne duhet të ecim përpara”. (A2 Televizion)