U mendua se ishte “vrarë” nga policia, por revolta në Kinë është ringjallur. Qindra njerëz sfiduan autoritetet në qytetin jugor të Guangzhou dhe dolën në rrugë kundër masave strikte për luftimin e valës së re të Covid-19.
Protestuesit kanë hasur në rezistencën e policisë, gjë e cila ka sjellë dhe përleshje të dhunshme gjatë gjithë natës. Pamje të publikuara në rrjete sociale, shfaqin forcat e rendit që mbajnë veshur kostumet hazmat dhe me mburoja xhami ndaj sendeve të forta dhe objekteve që lëshohen kundër tyre nga manifestuesit.
Një tjetër video, shfaq disa njerëz që arrestohen dhe janë me pranga në duar. Autoritetet e qeverisë komuniste dhe ato lokale duket se janë dorëzuar përballë presionit të revoltave masive dhe kanë njoftuar se kufizimet anti-covid do të zbuten në disa zona të Guangzhou. Qytetarët u japin të drejtë protestuesve.
Shumë qytetarë të Kinës besojnë se kufizimet e gjata anti-covid në qytete të ndryshme kanë ndikuar në vdekjen e personave, edhe pse autoritetet e kundërshtojnë këtë. Mungesa e ndihmës, kryesisht ekonomike, por edhe sociale nga ana e qeverisë komuniste ka shtuar zemërimin popullor.
Madje në shumë protesta është kërkuar si asnjëherë më parë dorëheqja e liderit të sapozgjedhur, Xi Jinping, por edhe ndryshimin e sistemit qeverisës.
(A2 Televizion)