Në përfundim të samitit të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe me një protokoll strikt të masave kundër koronavirusit, krerët e 30 shteteve anëtare u darkordësuan se Kina dhe politikat e saj ndërkombëtare përbëjnë sfida sistematike për aleancën, ndërsa për raportet me Rusinë, sekretari i pergjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ishin në pikën më të ulët në disa kohë.
“Të gjithë liderët u dakordësuan se në një epokë kompeticioni global, Europa dhe Amerika Veriore duhet të qëndrojë e bashkuar në NATO, për të mbrojtur vlerat tona dhe interesat tona. Veçanërisht kur regjimet autoritare si Kina dhe Rusia sfidojnë rregullat në hapësirën e rendit kombëtar.”, u shpreh Stoltenberg.
“Rusia dhe Kina po kërkojnë që të dy të krijojnë një pikë në solidaritetin tonë transatlantik. Ne po shohim një rritje të aktivitetit kibernetik me qëllim të keq, por Aleanca jonë është ende një themel i fortë mbi të cilin mundemi që siguria jonë kolektive dheprosperiteti ynë i përbashkët të vazhdojnë të ndërtohen.”, tha Biden.
Në pjesëmarrjen e tij të parë në NATO, si president i SHBA, Joe Biden siguroi aleatët se SHBA janë të përkushtuar për një marrëdhënie të fortë e të qëndrueshme dhe se epoka e pasigurive, nën udhëheqjen e paraardhësit të tij ishte tanimë pjesë e së shkuarës.
"NATO qëndron e bashkuar. Kështu jemi përballur me çdo kërcënim tjetër në të kaluarën. Është forca jonë më e madhe ndërsa plotësojmë sfidat tona për të ardhmen. Dhe ka shumë. Të gjithë në atë dhomë e kuptuan vlerësimin e përbashkët. Sinqerisht mund të them se Amerika është kthyer.”, tha Biden.
Në kuadër të iniciativës NATO 2030, e cila synon të përshtasë NATO-n ndaj sfidave të reja, u dakordësuan mbi 8 fusha kyçe, ndër të cilat për rritjen e konsultimeve mes partnerëve, forcimin e mbrojtjes dhe aftësive parandaluese, thellimin e përparësise teknologjike apo intensifikikimin e stërvitjeve me partneret. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, Afganistani dhe klima ishin po ashtu në fokus.
Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili zhvilloi një takim me homologun grek Kyriakos Mitsotakis. Dy udhëheqësit u dakordësuan për të përshpejtuar negociatat për arritjen e një marrëveshje lidhur me çështjen detare ndërsa Greqia shpreh po ashtu përkrahjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Një prej takimeve më të rëndësishme në kuadër të samitit ishte ai mes presidentit Biden dhe udheheqësit turk Rexhep Taip Erdogan.
“Ne patëm një takim pozitiv dhe produktiv, pjesa më e madhe një për një. Ne patëm diskutime të hollësishme sesi të procedojmë për një numër çështjesh.", u shpreh Biden.
“Ne mendojmë se nuk ka çështje që nuk zgjidhen brenda marrëdhënieve SHBA-Turqi dhe se fushat e bashkëpunimit për ne janë më të pasura dhe më të mëdha se problemet.”, shtoi Erdogan.
Epilogu i një jave të ngjeshur diplomatike do jetë të mërkurën kur presidenti amerikan do të takohet me njeriun që pak kohë më parë e ka cilësuar një vrasës, presidentin Vladimir Putin.
Pritshmëritë nuk janë shumë të larta por shpresohet që të paktën mes dy Rusisë dhe SHBA të rivendoset një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e parashikueshme.
Për A2CNN nga selia e NATO-s në Bruksel Rosalba Bejdo. (A2 Televizion)