Sekuestrohen 47 mijë euro në Kakavijë, nën hetim një grek dhe një shqiptar

Nga A2 CNN
11 Gusht 2023, 12:42 | Kronikë

Policia e Shtetit njofton se ka proceduar dy shtetas, një grek dhe një shqiptar, pasi janë kapur duke tentuar të kalojnë një sasi të konsiderueshme eurosh, pa i deklaruar ato në organet përkatëse.

Kështu, shtetasi grek u ndalua, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën 30 mijë euro të fshehura, të cilat ai po tentonte t’i kalonte përtej kufirit shqiptar.

Ndërkohë, rasti i dytë ishte ai i një 53-vjeçari shqiptar, banues në Tepelenë, të cilit i janë gjetur gjatë kontrollit në çantën e tij 17 mijë euro, shumë, të cilën ai kërkoi ta nxirrte nga vendi ynë.

“PKK Kakavijë/Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare, për të menaxhuar fluksin në hyrje/dalje, si dhe për të parandaluar dhe për të goditur krimet kufitare. Goditen në dalje të RSh-së, 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në PKK, sekuestrohen gjithsej 47 000 euro. Procedohen penalisht një shtetas grek dhe një shtetas shqiptar, të cilët i kishin fshehur paratë, në automjet ose në çantë.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas atij për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave në këtë PKK. Në bazë të analizave të riskut, në dalje të vendit, u kaluan në vijë të dytë:

-Automjeti me drejtues shtetasin grek V. P., ku gjatë kontrolleve të imtësishme, u gjetën të fshehura 30 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konform ligjeve; Shtetasi A. J. dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, u gjetën 17 000 euro që ky shtetas tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar konform ligjeve.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. P., 60 vjeç, banues në Greqi dhe A. J., 53 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe u sekuestruan shumat e parave.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.”

Njoftimi i Policisë Kufitare

A2 CNN Livestream

A2 Business