
Java e 14-të e kampionatit italian shpalosi edhe një herë ”ligjin e më të fortit”. Duke përjashtuar barazimin e Romës, gjithsesi në fushën e vështirë të Fiorentinës, gjithë ekipet e mëdha shënuan fitore të bindshme dhe me shumë gola.
Sinjalin e parë e dha Napoli, i cili “shpartalloi” Empolin 5-1 falë një Mertens në formën e tij maksimale, që nuk shfaqej qysh nga viti i kaluar. Tripleta e belgut dhe golat e Insigne dhe Milik siguruan djemve të Ancelottit vendin e dytë në ”bashkëjetesë” me Interin, i cili u përgjigj po me 5 gola, por pa pësuar asnjë, kësaj radhe kundër Genoas.

Zikaltrit treguan një formë fizike dhe mendore fantastike, duke shënuar fitoren e shtatë radhazi dhe duke evidentuar lojtarë që tifozët pothuajse kishin harruar rrugës, si Gagliardini autor i dy golave ose Joao Mario, që përtej golit në minutën e fundit dha asiste të shumta kënaqi me vizionin e tij të lojës.

Të dy ekipet në vendin e dytë ndahen me gjashtë pikë nga kryesuesja Juventus. Zonja e vjetër fitoi 3-1 ndaj Cagliarit në një ndeshje më të luftuar sesa mund të tregojë rezultati. Edhe pse të favorizuar nga goli i bukur i Dybala në fillim të ndeshjes, porta e mbrojtur nga polaku Szczesny u trondit nga goli i Joao Pedros, i cili barazoi për Cagliarin. Tensioni për bardhëzinjtë zgjati pak sekonda, sepse një autogol fatkeq i kroatit Bradaric kaloi sërish në avantazh Ronaldon me shokë, të cilët e mbyllën sfidën me golin e Kuadrados në kundërsulm.

E nxehtë duket edhe beteja për vendin e katërt, aty ku Lacio fitoi bindshëm 4-1 ndaj SPAL, me dygolshin e Immobile që i hapi rrugën e fitores ekipit të Thomas Strakoshës, protagonist i disa ndërhyrjeve vendimtare.
Milani nuk humbet distancën nga lacialët dhe merr trepikëshin e artë falë një goli në sekondën e fundit të mbrojtësit Romanjoli, pas një ndeshje të mirë të djemve të Rino Gattusos.

Mbetet pas Roma, që arriti barazimin ndaj Fiorentinës që kishte kaluar në avantazh me një penallti të dyshimtë në pjesën e parë. Goli i merituar i Florenzit nuk kënaq gjithsesi romanistët, që ndodhen tashmë 15 pikë nga Juventusi dhe jashtë kupave të Evropës, i kaluar edhe nga Sassuolo që fiton ndaj Kievos ende me minus në klasifikim, dhe nga Torino, fitues bindshëm në fushën e Sampdoriës.
Del nga kriza edhe Atalanta me në portë Etrit Berishën, kurse Parma dhe Frozinone ndajnë një pikë që mund ti duhet në rrugën drejt shpëtimit. (A2 Televizion)