Skënderbeun s’e ndal askush, Tirana zhytet në krizë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2018, 18:41 | Futboll

Megjithëse në letër sfida e javës së 11 në Kategorinë Superiore ndaj Kastriotit vlerësohej si e lehtë, nuk ka rezultuar kështu për Skënderbeun në fushën e lojës.

Në stadiumin e Korçës Skënderbeu vuajti, por në fund mori 3 pikët, ato që janë më të rëndësishmet në një ndeshje futbolli, me golin e vetëm të shënuar në minutën e 29-të, sërish nga Gjergji Muzaka.

Te fitorja është rikthyer edhe Partizani, i cili ka mposhtur minimalisht 1-0 Kamzën. Për të kuqtë, goli i vetëm është shënuar nga Bruno Telushi menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë.

Ndërkohë, bardheblutë e Tiranës vazhdojnë të zhgënjejnë në këtë kampionat dhe këtë herë ka qenë Teuta e Durrësit që në stadiumin “Niko Dovana” nuk i ka falur kryeqytetasit duke i mposhtur 2-1.

Një tjetër hap fals këtë javë ka hedhur edhe Kukësi i Cungut, teksa është mundur 1-2 nga Flamurtari. Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Laçi doli me 3 pikë nga Gjirokastra, duke fituar 0-1.

Pas javës së 11 është Skënderbeu në krye të kampionatit me 26 pikë, ndërsa në vendin e dytë renditet Partizani me një pikë më pak. Kukësi është në rënie të lirë, duke mbetur në kuotën e 19 pikëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos