Policia e Shtetit ka publikuar detaje nga operacioni “Flakë në det”, i zhvilluar në bashkëpunim me Gdf italiane dhe forcat e Frontex në detin Adriatik, për parandalimin e një tentative për të trafikuar lëndë narkotike.
Policia ka ndërhyrë në momentin kur grupet kriminale po realizonin shkëmbimin e drogës, duke vënë në pranga 6 persona. Sipas Bluve, operacioni nisi kur u konstatua lëvizja me shpejtësi e një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin.
Gomonia u afrua pranë një veliere, ku u bë dhe shkëmbimi i drogës me drejtuesve të dy mjeteve lundruese. Në këtë moment kanë ndërhyrë nga deti agjentët e GDF-së dhe Policisë Kufitare që kanë bërë rrethimin e veleriës.
Por, dy ukrainasit që ndodheshin në veleierë, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi.
Tentativa e tyre rezultoi e dështuar pasi janë kapur në flagrancë. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e “RENEA-s” kanë mësyrë në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku kanë arrestuar disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar drogë.
Gjashtë të arrestuarit nga policia dhe SPAK akuzohet për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.
Policia arrestoi shtetasit Armando Mema, Nerim Çela, Besnik Brokeri dhe dy ukrainasit Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”;
200 fishekë pistolete model 54;
një automjet tip “Audi”;
4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike;
45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë;
sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur;
1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in; (A2 Televizion)