Në Shkodër edhe pse numri i personave të prekur nga gripi dhe që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është mbi 3 mijë vetëm gjatë muajit janar, vërehet një interes i ulët për vaksinat antigrip. Rreth një e treta e dozave të vaksinave të ardhura në Shkodër janë ende në stok pasi janë refuzuar nga qytetarët.
Të dhënat nga spitali rajonal i Shkodrës si dhe nga qendrat shëndetësore tregojnë se në fund të janarit situata virale nga gripi sezonal është në pikën e saj më të lartë. Gjatë javës së fundit autoritetet e shëndetit publik në Shkodër kanë regjistruar të paktën 600 persona me grip, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Por përballë kësaj situate, popullata duket se ka refuzuar vaksinimin me vaksinat antigrip. Të dhënat tregojnë se gati një e treta e dozave të planifikuara për Shkodrën janë ende stok.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit janar numërohen rreth 3 mijë persona të prekur nga gripi në Shkodër, një shifër e lartë kjo. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë radhë sipas mjekëve gripi për shumë të infektuar ka ardhur në mënyrë më agresive, duke shkaktuar edhe komplikacione të rënda, por deri më tani pa fatalitete. (A2 Televizion)