I është dhënë lamtumira kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos nëpërmjet ceremonisë mortore të mbajtur në Katedralen Ngjallja e Krishtit.
Klerikë nga gjithë bota, përfaqësues fetare, diplomatë deri edhe kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis u mblodhën në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën Anastasit, një figurë e njohur dhe e vlerësuar në të gjithë botën ortodokse.
Të parët në rreshtin e nderimit ishin krerët e shtetit shqiptar, presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama, ndërkohë që ndasitë politike u ndalën këtë ditë teksa pranë kreu të qeverisë qëndronte për të nderuar edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.
Në nderim të hierarkut të Kishës Orthodokse, u zhvillua mesha njëorëshe e drejtuar nga Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, në katedralen e Ngjallja e Krishtit, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua për më shumë se 2 orë.
Mitropoliti mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit, Joani hapi dhe fjalimin në shërbesën e varrimit.
“Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që kishte: pasurinë e tij të pazakontë shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror dhe përkushtimin e palëkundur të një të krishteri të ndërgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit”, tha Joani.
Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij vuri në dukje veprimtarinë e Kryepeshkopit por dhe kontributin e tij për Shqipërinë.
“Me trupin e tij që la këtu dhe do të varroset në katedralen siç e quajti ai me emrin e tij “Ngjallja e Krishtit”. Ai erdhi në Shqipëri si një prift nga Greqia, por largohet si Anastasi i Shqipërisë.
E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thash, por durim dhe ata të reflektojnë me këtë durim të paqtë. Edhe të shohin disa nga veprat e tij, ashtu siç njihet pema e mirë që në fillimet e saj. Sot dëgjohet në gjuhët e botës emrin e kryepeshkopit të Shqipërisë dhe kur e dëgjon këtë nderim liturgjik, është e pamundur të mos jesh mirënjohës”, tha Rama
Ai u ndal edhe tek vendosja e kryepeshkopit të ri i cili do të jetë shqiptar.
“Pasuesi im do të jetë shqiptar ka thënë kryepeshkopi. Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme. A do ta pranonim ta drejtonte kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar”, shtoi Rama.
Fjalë që u përshëndetën me duartrokitje konfirmuese edhe nga besimtarët.
Pjesëmarrja e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në ceremoninë mortore u shoqërua edhe me një fjalim për veprën e kryepeshkopit dhe rolin në afrimin e popujve me njëri tjetrin.
“Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet "diplomati i dashurisë." Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha kryeministri grek.
Në këtë përshëndetje lamtumire ishte pjesë dhe familjarja e vetme e kryepeshkopit Anastas, mbesa e tij.
Në fund të shërbesës së varrimit klerët botërorë konfirmuan mbështetjen e tyre ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë edhe pas vendosjes së Kryepeshkopit të ri.
“Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”, u shpreh Bartolomeu.
Kryepeshkopi Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në Athinë. U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63-vjeçare. Tashmë ai prehet në varrin e ndërtuar në katin e nëndheshëm të Katedrales. (A2 Televizion)