Në mëshirë të fatit, shiu shkakton përmbytjet e radhës në Durrës

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
30 Janar 2025, 13:21 | Aktualitet

Në mëshirë të fatit, shiu shkakton përmbytjet e

Mbi 300 banesa të përmbytura, biznese dhe dhjetëra hektarë tokë, janë statistikat e përmbytjes së radhës në qytetin dhe rrethinat e Durrësit. Për pushtetin lokal fajin e kanë kushtet atmosferike. Ndërsa banorët vuajnë në mënyrë të përsëritur dëmet në banesat e tyre.

Fakti që zona tashmë të njohura në Durrës përmbyten sa herë që ka reshje shiu me intensitet, nuk përbën më ndonjë të re si për banorët që vuajnë pasojat e përmbytjeve ashtu edhe për pushtetin lokal, që mangësitë në shërbime i dhe pastrimin e kanaleve kulluese i justifikon me faktin se reshjet ishin me intensitet të lartë, transmeton A2 CNN.

Dhe me sa duket kështu ndodhi edhe me reshjet e së mërkurës që vijuan për të paktën 5 orë me intensitet të lartë. Mbi 300 banesa të përmbytura kryesisht në zonën e ish-Kënetës dhe lagjes 17, dhjetëra hektarë tokë bujqësore nën ujë dhe natyrisht disa rrugë me prezencë të lartë uji, shkruan A2 CNN.

Banorëve që u është future uji në banesa dhe natyrisht u ka dëmtuar çfarë kanë patur, nuk e kanë për herë të parë këtë situatë, por kësaj radhe ato shprehen se niveli I ujit ka qenë më i lartë.

Nga ana tjetër drejtues të bashkisë së Durrësit shprehen se situata u krijua për shkak të reshjeve dhe se e gjithë personeli i shërbimeve është në terren, raporton A2 CNN.

Ndërsa për ish-deputetin e PS Igli Cara, kryebashkiakja e Durrësit dhe kryeministri disa orë para përmbytjes i kërkonin votat këtyre banorëve që u përmbytën.

Ashtu si në rastet e mëparshme pushteti lokal premton vlerësim të dëmeve për familjet dhe bizneset, ndërsa koha e ka treguar se është bërë shumë pak për të shmangur këto përmbytje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos