Berisha reagon për ndarjen nga jeta të Janullatosit: Lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar

Nga A2 CNN
25 Janar 2025, 15:35 | Aktualitet

Berisha reagon për ndarjen nga jeta të Janullatosit: Lutem që

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos. “Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos”, shkroi Berisha në një status në Facebook, raporton A2 CNN.

“Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Unë gjithashtu shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe mbarë ortodoksëve të Shqipërisë dhe i lutem Zotit, së bashku me ta, që shpirti i ndritur i këtij shërbëtori të pakursyer të Kishës dhe Zotit të gjejë paqen e amshuar”.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bëri me dije se Imzot Janullatos ndërroi jetë në spitalin "Evangelismos" në Athinë, ku ishte i shtruar pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai ishte 95 vjeç.

A2 CNN mësoi se ceremonia funerale do të kryhet të enjten, më 30 dhjetor në Shqipëri, pasi ishte amaneti i Janullatosit që të prehej në vendin tonë. Trupi i tij mbërrin në Shqipëri të martën, ndërsa vendi i prehjes nuk është caktuar ende, por besohet se do të jetë Manastiri i Shën Vlashit në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos