Nga emigrant që kaloi kufirin në këmbë përmes maleve në fillim të viteve ’90, në një sipërmarrës të suksesshëm që zotëron restorante dhe struktura akomoduese në Santorini. Kjo është historia e dirbanit Niko Topuzit, i cili ndau rrugëtimin e tij në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.
Topuzi kujtoi se u largua nga Shqipëria në vitin 1992, në një periudhë kur kushtet ekonomike ishin tepër të vështira. Sipërmarrësi tregoi se fillimet në Greqi nuk ishin aspak të lehta, por puna dhe këmbëngulja e ndihmuan të ndërtonte një jetë të re.
Pas viteve të eksperiencës në gastronomi, ai hodhi hapin drejt biznesit të tij. Historia e dibranit është një shembull i rrugëtimit të emigrantëve shqiptarë që nisën nga puna më e thjeshtë dhe, përmes sakrificave e përkushtimit, arritën të ndërtojnë sipërmarrje të suksesshme jashtë vendit.
“Në vitin 1992 kur u largova nga Shqipëria situata ka qenë shumë e vështirë. Jetonim në fshat dhe gjërat ishin shumë të komplikuara, vështirësi të papara. Vjen momenti kur s’ke rrugë tjetër. Zgjodha Greqinë sepse ishte vendi më i afërt dhe mund të ikje në këmbë nëpër male. Jam larguar nga Shqipëria mbi 10 herë dhe më ka larguar policia. Këtu fillimet kanë qenë shumë të vështira, por me kalimin e kohës gjërat u normalizuan duke punuar. Fillova punë në një restorant duke larë pjata. Me kalimin e kohës u mësova të gatuaj. Në 1997-1998 njoha një italian që kishte një restorant dhe mësova me të vërtetë punën. Ai është mentori im dhe faleminderit Perëndisë që ma solli në rrugë. Në 2010 hapa një restorant, kuzhinë italiane. Bashkë me vëllain tim zotërojmë 2 restorante dhe kemi 19 suita, hotele. Se do shkoja deri këtu s’e mendoja dot. Kam përshtypjen se njeriu mund të arrijë edhe më shumë nga ato që mendon, nëse do”, u shpreh ai. (A2 Televizion)