Është nënshkruar ditën e sotme marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës për hapjen e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.
Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.
Të pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishin dhe Kryeministri Rama dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
“Ja ku jemi këtu sot duke nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Tiranës, Kolegjin e Europës që do të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit duke nisur qysh prej këtij viti akademik, deri në përfundimin e kampusit të ri. Streha e parë e Kolegjit të Europës, vendi ku studentët do të studiojnë për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor është godina ‘Liria’, vendi ku studentët shqiptarë në fakt kanë hedhur hapat e parë historikë dhe ku bënë histori me nisjen e rrugëtimit drejt demokracisë dhe lirisë”, tha ndër të tjera ministrja Manastirliu.
Siç u bë e ditur, bashkëpunimi me Kolegjin e Evropës, pritet që të shërbejë për zgjerimin e njohurive dhe ekspertizës në çështjet e BE-së dhe do të kontribuojë në procesin e integrimit të rajonit në BE.
Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do t’i hapë dyert për ciklin e studimeve në vitin akademik 2024-2025.
Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini deklaroi ditën e sotme se pjesë e Kolegjit të Evropës në Tiranë do të jenë 31 studentë, të zgjedhur nga 241 aplikantë nga 41 kombësi të ndryshme.
Sipas saj, ky projekt ka ngjallur mjaft interes, ndërsa shtoi se pjesë e punës do të jenë dhe trajnimet për zyrtarët e rajonit dhe jo vetëm. Ajo tha se ka pasur aplikime nga Gjermania, Suedia dhe Franca. (A2 Televizion)