Peshkimi në liqenin e Prespës është një nga profesionet e vetme që arrin të mbajë me të ardhura disa dhjetëra familje që të mos braktisin Pustecin. Por edhe ky profesion sa vjen dhe po bëhet më i vështirë për tu ushtruar.
Kjo jo nga mungesa e dëshirës së peshkatarëve të zonës, por nga pamundësia e tyre për të shitur peshkun që kapin. Në këtë bashki mungon një pikë grumbullimi ashtu sikurse mungon edhe certifikimi i peshkut të Prespës, pasi në shumë raste tregtarë të ndryshëm abuzojnë në treg duke shitur peshk të tjerë si të liqenit të Prespës.
Problematika e peshkatarëve të Pustecit është e njohur edhe nga kryetari i bashkisë, i cili inkurajon që të bëhen bashkë për të kërkuar nëpërmjet projekteve realizmin e kërkesave të peshkatarëve.
Pusteci dhe liqeni i Prespës është nja nga atraksionet turistike që vit pas vit po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Jo vetëm për shkak të natyrës dhe faktit që është një zonë e mbrojtur por edhe për kulinarinë dhe peshkun e freskët të liqenit të Prespës. (A2 Televizion)