Furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve mund të jepen me koncesion, projektligji në "konsultim publik”

Nga Marjo Brakaj
9 Nëntor 2023, 15:30 | Aktualitet



Furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i mbetjeve mund të jepen me koncesion. Qeveria i ka hapur rrugë arritjes së marrëveshjeve të mundshme mes institucioneve të pushtetit vendor dhe kompanive private në projektligjin “Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane”.

“Dhënia me koncesion, apo me një marrëveshje të partneritetit publik privat, e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.”

Nisma ligjore e hedhur për Konsultim Publik specifikon edhe kushtet që duhet të përmbushen, para se shërbimet t’i jepen me koncesion kompanive që shprehin interes.

“Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion, ose nëpërmjet një marrëveshjeje të partneritetit publik privat, miratohet parimisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga ERRU-ja, brenda3 muajve nga paraqitja e tij. Vetëm pas marrjes së miratimit, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.”

Veçanërisht shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm vuan nga problemet financiare që sa vijnë e shtohen. Për këtë arsye edhe vitin e shkuar u ndërmor një reformë që mblidhi në 15, nga 58 që ishin shoqëritë e ujësjellësve në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos