“Futi një teke se ngrohesh!”, mjeku: Jam dakord, por alkooli nuk të ngroh, përdorni çaj

Nga A2 CNN
23 Janar 2024, 12:35 | Aktualitet

Kjo javë ka nisur me mot të ftohtë dhe temperatura nën zero në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Edhe pse prej vitesh vendi ynë nuk karakterizohet me dimër të acartë dhe temperatura nën zero të vazhdueshme, sërish kujdesi i qytetarëve për shëndetin e tyre duhet të jetë i lartë. Temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë hipotermi, e më pas një ulje të qarkullimit të gjakut, e për pasojë trupi ndjen të ftohtë të theksuar deri në humbje të ndjenjave.

Mjeku internist Gerard Kola, në një lidhje të drejtpërdrejt për emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, tregoi se këto raste janë të rralla në Shqipëri, por që qytetarët duhet të kenë kujdes. Më shumë nga i ftohti preken gishtat e këmbës, gishat e duarve dhe majat e veshëve, pjesë trupore të cilat duhen mbuluar në ditët e ftohta. Sa i përket përdorimit të alkoolit, mjeku sygjeron që pirja në sasi të paracaktuara nuk e dëmton shëndetin e qytetarëve, megjithëse më e përshtatshme është pirja e çajrave apo pijeve të ngrohta joalkoolike.

“Tani kjo pjesa, një teke në mëngjes, unë jam pro një teke.Por siç thonë edhe në Kuran, nëse je i bindur që do e lësh tek ajo teke pije, por nëse nuk je i bindur që do e lësh tek ajo teke, mos e provo. Më mirë një çaj të ngrohtë, më mirë një çokollatë, ka plot lëngje. Çdo lëng i ngrohtë praktikisht ndikon në ngrohjen e organizmit. Praktikisht ajo është diçka momentale, është ajo kënaqësia momentale që na jep alkooli, nuk ka asnjë lidhje me efekte në organizëm që do na ngrohi. Alkooli thjesht zgjeron venat e gjakut, dhe duke qenë se zgjeron venat e gjakut qarkullon gjak momentalisht dhe trupi ngroh veten pak më shumë. Sepse i ftohti bën vazokonstriksion, ngushton venat e gjakut, dhe duke mos qarkulluar më shumë gjak, ne e ndiejmë më shumë atë të ftohtin”, tha për A2 CNN mjeku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos