Transparenca dhe aksesi i qytetarëve në informacion në bashkitë e vendit ka pasur rritje, por kjo ecuri nuk shkon paralel me mbajtjen e premtimeve elektorale. Është kjo një nga gjetjet në kuadër të projektit “40 Premtime, 10 Bashki”, nga Faktoje për vitin 2025. Bashkitë e monitoruara për vitin 2025 janë: Tiranë, Elbasani, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, Korça, Saranda, Lezha dhe Shkodra.
“Transparenca dhe aksesi i qytetarëve në informacion në bashkitë e vendit ka pasur rritje, por kjo rritje e transparencës nuk shkon paralel me mbajtjen e premtimeve elektorale, nga ana e kryetarëve të bashkive. Kjo është një nga gjetjet në kuadër të projektit “40 Premtime, 10 Bashki”, nga Faktoje për vitin 2025. Bashkitë e monitoruara për vitin 2025 janë: Tiranë, Elbasani, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, Korça, Saranda, Lezha dhe Shkodra”, thotë Klodiana Kapo, drejtuese ekzekutive e “Faktoje”.
Për vitin 2025, janë monitoruar 40 premtime elektorale, nga të cilat vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 premtime rezultojnë të pambajtura ose të shtyra pa afate të qarta. Premtimet e realizuara lidhen kryesisht me projekte konkrete, me buxhet dhe afate të përcaktuara, ndërsa premtimet e pambajtura janë kryesisht të përgjithshme dhe të ricikluara nga mandatet e mëparshme.
“Ka problematika me të cilat përballen bashkitë, si për shembull uji i pijshëm. Asnjë bashki në vend nuk mund t’i japë përgjigje sfidës së furnizimit me ujë të pijshëm vetëm me buxhetin lokal, por vetëm përmes projekteve, lobimit dhe më pas financimit që vjen si rrjedhojë e programeve të qeverisjes vendore”, thotë Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Nga realizimet, Lezha kryeson me 8 premtime të përmbushura plotësisht, Shkodra me 6, dhe Durrësi e Dibra me nga 4; megjithatë Durrësi ka edhe numrin më të lartë të premtimeve të pambajtura me 8 të tilla, ndërsa Elbasani, Vlora, Kurbini dhe Patosi regjistrojnë nga 5 secila.
“Problemi i premtimeve, mundohemi të fokusohemi në ato prioritete që i kanë zonat e ndryshme se dhe brenda një bashkie është ndryshe nga një zonë në tjetrën dhe duhet të jemi të zotë të marrim projektet dhe fonde nga qeveria. Duhet të jenë projekte cilësore që të mund të marrësh fonde, pasi në të kundërt e merr bashkia tjetër që ka projekt më të mirë. Ka ende shumë punë për të bërë, bashkia është një dinamikë e përditshme dhe nuk është e thjeshtë që të adresosh gjërat. Qeveria duhet të jetë më bashkëpunuese me zonat turistike duke qenë se është shpallur dhe prioritete kombëtar”, thotë Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë.
Në drejtim të transparencës, në krye të renditjes për vitin 2025 qëndrojnë bashkitë Shkodër, Korçë, Lezhë dhe Sarandë, Durrës të cilat kanë arritur nivelin maksimal të përmbushjes së transparencës...100%. Këto bashki kanë publikuar në kohë dokumentet kryesore, kanë respektuar procedurat e konsultimit publik dhe kanë garantuar akses të rregullt të qytetarëve në informacion. Në fund të renditjes qëndron Bashkia Kavajë, e cila, ndonëse vijon të ketë problematika në publikimin e raporteve të zbatimit të buxhetit dhe dokumenteve të vendimmarrjes, ka shënuar përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet paraardhëse. (A2 Televizion)