La farmacinë për mësuesinë: Do ta rizgjidhja sërish, më shumë vlerësim për arsimin

Nga Ornela Joti
7 Mars 2024, 14:45 | Aktualitet

Sot mund të ishte një farmaciste me biznesin e saj në Tiranë, apo e vlerësuar mjaft mirë financiarisht në punë. Por shumë vite më parë zgjodhi të lërë farmacinë për mësuesinë, pasionin e saj të hershëm. Tingëllon çuditshëm në ditët e sotme, por për Artjola Dokon, mësuesen e Gjuhe-Letërsisë në gjimnazin Çajupi nuk ka asnjë pendesë. Me bindje thotë se do të bënte sërish të njëjtën zgjedhje edhe sot.

Pas 20 vitesh punë në arsim  me keqardhje pranon se ky profesion nuk është më i dëshiruar nga të rinjtë dhe as i vlerësuar si dikur nga shoqëria e politika.

Mes shumë urimeve e dhuratave si çdo vit, ky 7-Mars i gjen mësuesit në prag të një procesi trajnimi.  Në fund të këtij muaji afro 4 mijë arsimtarë do të trajnohen e testohen nga universitetet e mësuesisë për njohuritë e tyre.

Ndoshta Artjola do të jetë një prej tyre. Do të kthehet në fakultetin Filologjik, jo më si studente, por me ambicien për të mësuar gjithë jetën, siç thotë ajo.

Festa e mësuesit nuk ka kaluar pa urimet dhe premtimet rutinë të politikës. Por e nesërmja do të jetë po njësoj për mijëra arsimtarë që gjatë punës dhe jetës së tyre  përballen me sfida dhe vështirësi nga më të ndryshmet.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos